S’KA MË SHEFA.

Foto Ilustrative: Shefi i Madh. Burimi: Google

Sa herë që me ka qëlluar të takoj e të bisedoj për ecurinë e punëve me njerëz të ndryshëm, thuajse 80% e tyre ankohen për të njëjtin problem.

Çuditërisht, ata që janë të punësuar diku nuk ankohen për rrogat e tyre, as për oraret e tejzgjatura, as për lodhjen e madhe brenda dhe jashtë orarit, madje as për zvogëlim apo mungesë të kohës së pushimeve, por ankohen kryesisht (për të mos thënë vetëm) për shefat e tyre!

Po kaq çuditërisht, nga ana tjetër, ata që janë shefat (ose menaxherët), ankohen për performancën e ulët të punonjësve të tyre!

Dhe këtu ka një problem! Ose më saktë, një keqkuptim!

Në fakt problemi që duhet të ngrihet është se si mund të performojë mirë një punonjës i bezdisur, i mërzitur, i lodhur dhe për më tepër i keq-menaxhuar nga shefi i tij?!

Që të mos keqkuptohemi. Ashtu siç ka shefa të këqinj, ashtu ka edhe punonjës të këqinj. Por çështja qëndron te PËRGJEGJËSIA!

Është pikërisht PËRQASJA NDAJ PËRGJEGJËSISË që bën dallimin. Kështu përgjegjësinë më të madhe në çdo organizatë (që ka synim fitimin dhe zhvillimin afatgajtë), e kanë ata që gëzojnë pozitën më të madhe!

Sa më i lartë pozicioni, aq më e lartë përgjegjësia

Sa më i ulët pozicioni, aq më e ulët përgjegjësia

Në rastin konkret, nëse kemi të bëjmë me një punonjës të cilësuar të keq, përgjegjësia është:

së pari, e shefit që e punësoi pa ia vlerësuar aftësitë profesionale dhe personale;

së dyti, e shefit që e mban ende në punë dhe nuk di ta motivojë e ta orientojë në punë;

së treti, e shefit që në vend që të marrë një vendim për ta shkarkuar vazhdon ta mbajë ende në punë duke u ankuar tek të tjerët për atë.

Madje kur një shef ankohet jashtë pune për punonjësit e tij, ky është ekskluzivisht një gabim fatal i shefit në fjalë. (Kapiteni nuk i shan marinarët e tij tek ekuipazhet e huaja!)

Sepse kur një shef shan njerëzit me të cilët duhet të bashkëpunojë, çfarë mund të presësh nga ky shef për të krijuar marrëdhënie ndërnjerëzore besimi si në rrafshin personal ashtu edhe në atë ekonomik (në rastin e kompanisë që drejton).

Nëse dy gabimet e para mund t’i ‘falen’ si gabime njerëzore, keqmenaxhimi është i pafalshëm për një shef apo menaxher. Keqmenaxhimi është i pafalshëm sepse aftësia për të menaxhuar është matësi i profesionalizmit të shefit apo menaxherit (për atë paguhet).

Nëse duan të ngrenë biznese të suksesshme dhe të krijojnë ekipe të forta, shefat duhet të kuptojnë 3 gjëra themelore në arenën ekonomike të shek.XXI :

  1. Punonjësit e tyre janë NJERËZ! Pra do të thotë që ata nuk janë objekte, as thjesht asete, forcë apo kapital i kompanisë. Në të vërtetë, ata së bashku janë vetë KOMPANIA!
  2. Investimi më i mirë në kompaninë e tyre nuk është ambienti, as makinat, as kompjuterët, as kostumet, as mobiljet apo pllakat me xixa…por NJERËZIT!
  3. Pavarësisht mjeteve, ambienteve apo teknologjisë që mund të ketë një kompani, PUNËN e bëjnë NJERËZIT! Sepse njeriu përdor mjetin dhe jo mjeti njeriun. Dhe mbi të gjitha njeriu bashkëvepron me njeriun për të sjellë risi dhe mbi të gjitha FITIM!

Për rrjedhojë, nëse shefat duan që kompania të rritet e të zhvillohet, duhet të bëjnë çmos që njerëzit e tyre të rriten e të zhvillohen!

Kjo rritje dhe zhvillim do të fillojë kur këta njerëz nuk do të trajtohen më si ‘vegla’ që përdoren nga duart e shefave për të zbatuar urdhrat e radhës, por si KOLEGË!

Foto Ilustrative: Punë midis kolegësh. Burimi: Google

Pa konceptin e kolegut nuk ekziston koncepti i bashkëpunimit dhe kështu vazhdojmë të jemi në lëmin e dhënies së urdhrave thjesht për të plotësuar normën (koncepti i punës si përmbushje e normës tashmë në EPOKËN E INFORMACIONIT është jashtëkohësuar). Po kështu pa konceptin e bashkëpunimit nuk ka koncept të skuadrës. PA SKUADËR S’KA KOMPANI.

Sepse e vërteta e madhe, që sa vjen e kristalizohet e bëhet më e qartë në ekonominë e këtij mijëvjeçari të ri, është që S’KA MË SHEFA! Në fakt ka vetëm klientë, blerës dhe konsumatorë. Këta janë ‘Shefat e Rinj’ që çdo biznes duhet t’u shërbejë ose jo. Ky është biznesi përtej përqasjeve emocionale.

Prandaj ‘Shefat e Vjetër’ duhet të kuptojnë së ata janë thjeshtë PËRGJEGJËS të ecurisë së punës dhe të veprimtarinë së kolegëve të tyre në kompani. Pra, ashtu si një trajner futbolli (që në vendet anglo-saksone quhet menaxher i skuadrës) është përgjegjës kur ekipi i tij humbet, barazon apo fiton ndeshjen, po kështu duhet të jetë edhe një person që ka pozicion drejtuesi në një sipërmarrje.

Kur ekipi fiton, fitojnë të gjithë!

Kur ekipi humbet, shefi duhet të mbajë përgjegjësi… dhe të ndryshojë strategji!

Nëse nuk e bën këtë, një shef nuk është i denjë të drejtojë…të paktën jo në skuadrën sipërmarrëse të këtij shekulli.

Pozicioni i Shefit duhet të meritohet!

Pozicioni i Shefit duhet të jetë bërthama nga ku burojnë energjitë pozitive dhe idetë përparimtare.

Përndryshe asnjë justifikim nuk ka vlerë.