KOKËFORTËSIA -VS- ‘KNOW HOW’

Nëse kërkojmë në fjalor kuptimin e fjalës ‘kokëfortësi‘, një nga përkufizimet që do të gjejmë është : qëndrimi me këmbëngulje në mendimin vetjak, pa pasur të drejtë, pa pasur arsye dhe pa u bindur.

Padyshim, në biznes këmbëngulja është e dobishme për të zhbërë rezistencën që has përgjatë rrugës së arritjeve të ambicieve. Nga ana tjetër, ‘këmbëngulja me çdo kusht’ dhe ‘pa lëshuar pe’, që së bashku janë veçori të kokëfortësisë, në biznes sjellin humbje të dyfishtë.

Pse sjell humbje të dyfishtë? Sepse dëmton kokëfortin po aq sa edhe palën tjetër, duke shkatërruar marrëdhënien. Dhe pa marrëdhënie nuk ka biznes.

Foto Ilustrative: Sipërmarrësi mat fuqitë me Elefantin. Burimi: Google

Nëse po mendoni të nisni një karriere profesionale apo të krijoni një biznes, por ndërkaq jeni edhe një person kokëfortë, që nënkupton dikë që nuk interesohet se çfarë bëhet përreth tij, i cili fiksohet pas një ideje, që e pëlqen me gjithë shpirt, që i përshtatet ekskluzivisht stilit dhe shijes së vet. Në këtë rast duhet pasur KUJDES!

Biznesi dhe profesioni nuk janë hobi. Një biznes nuk është një fasadë ngjyrash dhe kinkalerish, nuk është as fjalët e bukura që thonë për ju apo një ‘pemë ku rriten paratë vetvetiu’ që më pas i mblidhni kur t’ju vijë për mbarë. Biznesi është SFIDË, për të cilën duhet PUNUAR pareshtur.

Biznesi apo profesioni është shkollë e jetës, e cila nis, jo thjesht pas arsimit të detyruar, por që në çastin që jemi ndërgjegjësuar për të nisur një rrugë të tillë.Foto Ilustrative: Sa të rrosh, do të mësosh. Burimi: Google

SEKRETI KRYESOR: Biznesi nuk bëhet vetëm. Duhet të shesësh tek një tjetër/ tek të tjerë ose/dhe të bashkëpunosh me një tjetër / tek të tetrë.  Dhe njerëzit ndryshojnë!

Është e pranuar nga studimet e kryera se statistikisht një biznesi, sikurse edhe një profesionisti, i duhen mesatarisht 5 vite që të konsolidohet. Kjo nënkupton që, gjatë 5 viteve të para biznesi apo karriera mund të ketë humbje ose edhe të dështojë. Ndërkaq, në rastin më të keq humba dhe dështimi mund të vazhdojë edhe pas 5 viteve, por një gjë e tillë ndodh vetëm nëse vazhdohet të veprohet me kokëfortësi!

Po pse mund të ketë dështim gjatë 5 viteve të para të një biznesi apo karriere profesionisti?

Fare e thjeshtë. Thamë që është shkollë pasi zgjat 5 vite (aq sa një universitet 3 vjeçar + 2 master). Pra, gjatë kësaj periudhe mëson duke punuar dhe punon duke mësuar!  Nuk ndodh askund që biznesi të ‘ecë vetë’! Duhet punë dhe mësim. Ky kombinim quhet përvojë (ose eksperience). Në këtë kuadër ka edhe dështime, por që në të vërtetë janë leksione jetësore, nga të cilat po të mësojmë jemi gjithmonë e më afër arritjes.

Kush nuk e aplikon këtë kombinim (punë dhe mësim), ka gjasa të mos kthehet në një profesionist. Për këtë arsye mund edhe të konkurrohet lehtësisht nga ata që punojnë dhe mësojnë teksa ushtrojnë veprimtarinë e tyre!

Foto Ilustrative: Sipërmarrësi i stërvitur. Burimi: Google

Po pse nuk mësojnë disa profesionistë? Pse nuk mësojnë disa biznese?

Kjo ndodh së pari pasi janë tejet kokëfortë për të mësuar gjëra të reja në ambientin e punës. Gjithashtu, ata rëndom priren të mendojnë.

“Tashmë kam mbaruar shkollën, kam marrë dijen e mjaftueshme dhe nuk kam kohë për të menduar për teori të kota!”.

Por në fakt, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me teori të kota, por një thellim në atë që është inteligjencë praktikë për profesionin apo biznesin.

Problemi tjetër i kokëfortësisë është se të pengon të nisësh procesin e korrigjimit të gabimeve gjatë punës. Ndërkohë, në punë ndodhin përherë gabime dhe ka probleme të ndryshme, prej të cilave duhet të mësojmë.

Duhet të mësojmë, pasi së pari, në të ardhmen shmangim gabime dhe probleme të njëjta dhe së dyti, duke u ballafaquar me gabime dhe probleme të reja nis dhe procesi i  rritjes profesionale duke përdorur aftësitë tona problem-zgjedhëse, të përftuara nga përvoja. Në këtë mënyrë formohet ajo që quhet njohuri praktike (‘know how’ në anglisht).

Foto Ilustrative: Niveli i ‘KNOW HOW’ – Njohurisë praktike. Burimi: Google

Çfarë janë SFIDA dhe RRITJA?

SFIDA është përgjegjësia që marrim përsipër për zgjidhjen e problemeve, duke shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime, pasi jemi ndërgjegjësuar për pozicionin dhe ndikimin tonë në lidhje me gabimet në fjalë . Rezultatet e kësaj ndërmarrjeje janë RRITJA.

Ndërkaq, në lidhje me gabimin dhe problemet që ndodhin, mendësia e kokëfortësisë dikton përqasje të llojit: “Jo, nuk qe faji yt! Nuk ke bërë gabim! Je mirë! Vazhdo kështu! Është kohë e vështirë. Të tjerët nuk të kuptojnë. Oboboo! Kush rri e merret tani?! Të shohim nesër? Po ulem ta punoj në kafe…

Si ta ndërgjegjësojmë një mik apo koleg kokëfortë?

Këtë gjë do ta bëjë vetë puna. Përvoja dhe dështimet. Pasojat e veprimeve janë shtyllat e themelit të ndreqjes. Por mbi të gjitha ndërgjegjësimi vjen nga dhimbja e dështimeve, që vjen nga rezistenca ndaj njohurive dhe aftësive, të cilat fitohen vetëm duke vlerësuar si duhet situatat e vështira dhe  duke i parë në këndvështrimin e sfidës.

Foto Ilustrative: Njohuritë praktike për ‘të lundruar’. Burimi: Google

Suksesi si profesional, si ai në biznes, nuk është thjeshtë një ‘plazh’ i qetë, por edhe një ‘det i gjerë’ dallgësh e shtrëngatash.

Duke përdorur krahasimin letrar të detit me profesionin dhe biznesin, vlen të theksohet:

  1. Eksperienca profesionale kërkon të njohësh dhe të ndërgjegjësohesh për veten: Fillimisht, duhet të kuptonjmë nëse dimë apo nuk dimë të notojmë mjaftueshëm.
  2. Realiteti duhet të merret ashtu siç është: Së dyti, deti nuk ndryshon në varësi të asaj që na pëlqen apo nuk na pëlqen.
  3. Të hapur ndaj marrjes së njohurive të reja dhe vënies së tyre në zbatim: Pergatitemi, marrim njohuri dhe stërvitemi për të notuar në kohë me diell por edhe në kohë shtrëngatash. 

Foto: Qëndrimi i notarit në det. Burimi: Google

Pa ditur not, sado kokëfortë, këmbngulës apo vetëbesues të jemi, nuk mund të notojmë dot në det. Më e shumta, mund të rezistojmë për ca kohë përpara se të fundosemi!

Prandaj, nëse zgjedhim që të notojmë ‘në det’ duhet të jemi të hapur për të mësuar notin, pavarësisht sa na pëlqen noti apo deti.  Përndryshe, kemi edhe si alternativa edhe pishinat …edhe pellgjet!