PSE PRIREMI TË MOS DIJMË?

Foto : ‘Mendimtari’ – Skulpturë nga Zhan August Roden. Burimi: Google.

Kur na ndodh që kuptojmë diçka, priremi që të mendojme se e dijmë.
Dhe kur mendojmë se dijmë diçka, ndodh që mendojmë se e njohim aq mjaftueshem  sa mund edhe të dijmë ta bëjmë.
Këtu mbyllen dhe ‘portat e dijes’. Portat që realisht do na çonin tek të diturit atë ‘diçka’.
Këtu e ndalojmë këtë mundësi të të provuarit dhe vijojme ‘të dimë’ gjërat e tjera të radhës me po të njëjtën prirje.

Si mund ti hapim këto porta? 

Si fillim, me kureshtje. Kureshtja është ‘çelësi’.
Kureshtje për të gjetur vetedije të plotë e të sinqertë për kufizimet tona njerëzore.
Gjithësecili mbart natyrshëm kufizime, dikush diku, dikush tjetër diku tjetër, por gjithkush që mban të ndezur kureshtjen nuk rresht kurrë së kërkuari për dije, ato dije që dalin prej atyre pjesëve të pa kufizuara njerëzore të cilat përherë na kanë shërbyer për të dalluar dhe kapërcyer kufizimet dhe që njekohësisht na kanë shtuar kureshtje dhe vetëdije.

Në këtë ritëm, kureshtja dhe vetëdija do na shtyjë përherë e më shumë drejt mendimit, faktorit kryesor që zhvillon dijen.

Puna më e mundimshme për njeriun, edhe pse në dukje lehtësisht e natyrshme, mbetet mendimi. Kultivimi i mendimit sjell gjenerimin dhe aktivizimin e neuroneve të reja në trurin tonë, të cilat nuk gjenerohen ndyshe, as përmes leximit apo studimit, siç priremi sërish që të gjykojmë, por vetëm përmes mendimit. Studimi bëhet pikërisht për të aktivizuar proçesin e të menduarit, e për rrjedhojë kultivimin e dijes.

Mendimi na shtyn të formojmë e të shprehim koncepte,  të gjykojmë, të ndjejmë, të veprojmë, jetojmë dhe përjetojmë, por mbi të gjitha që të krijojmë.

Mendimi është pika jonë e referimit për veten dhe atë gjithësi realitetesh që na rrethon.

Le të provojmë të mendojmë se ç’do të ndodhë nëse ndyshojmë mendimin…Po nëse ndalojmë së menduari…Ose nëse kultivojmë mendime të reja…Çfarë do të ndodhë me realitetin tonë? Pikat tona të referimit? Rëndësi ka të njohim fuqinë e mendimit dhe faktin që ne jemi krjuesi i tij.

Pse priremi që të mos zhvillojmë dijen? Sepse pavetëdijshëm dhe natyrshëm priremi të mendojmë se dimë të mendojmë.

…Por, që të mendojmë, do zbulojmë se na duhet edhe që të krijojmë.

Foto Ilustrative: ‘Kapërcimi i dritës.’ Burimi: Google.